Artan Loshaj largohet nga QKMF Dragash pas mbi 26 vitesh shërbim, vazhdon aktivitetin në Kuvendin Komunal Infermieri…
Artan Loshaj largohet nga QKMF Dragash pas mbi 26 vitesh shërbim, vazhdon aktivitetin në Kuvendin Komunal
Infermieri i njohur Artan Loshaj ka njoftuar sot largimin e tij nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, pas mbi 26 vitesh përkushtim në shërbim të pacientëve dhe komunitetit. Ky largim lidhet me ligjin e ri, i cili kërkon që gjatë ushtrimit të një detyre tjetër, vendi i punës të ngrijë aktivitetin e tij për një periudhë të caktuar.
Artan Loshaj do të vazhdojë aktivitetin e tij në Kuvendin Komunal si asambleist i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku synon të jetë zëri i qytetarëve.
Në një postim të gjatë dhe emocionues në rrjetet sociale, ai shpreh mirënjohjen e thellë ndaj stafit, kolegëve dhe pacientëve për besimin dhe bashkëpunimin gjatë gjithë karrierës së tij:
Postimi i plotë i Artan Loshajt:
“Sot nuk po largohem thjesht nga një vend pune, por nga një pjesë e jetës sime.
Po largohem me kokën lart e zemrën plot, sepse këtu jam rritur, kam mësuar çfarë do të thotë përgjegjësi, sakrificë e shërbim me nder.
Mbi 26 vite punë, net pa gjumë, sfida e lodhje, por mbi të gjitha krenari.
Falenderoj stafin, mjekët, kolegët e mi, veçanërisht urgjencën – zemrën e këtij institucioni për durimin dhe bashkëpunimin.
Falë jush kam qëndruar i fortë edhe në ditë më të vështira.
Falenderoj pacientët tanë, që na kanë besuar shëndetin e tyre. Besimi juaj në duart tona ka qënë një përgjegjësi, por edhe nder dhe krenari e veçantë. Fjalët e mira dhe buzëqeshjet tuaja na kanë dhënë forcë dhe moral për të mos u dorëzuar.
Unë do të vazhdoj të jem pranë jush në Kuvendin Komunal, ku besoj se do jem zëri juaj si gjithmonë.
Nuk po ju them lamtumirë, por shihemi së shpejti.
Do të largohem për një kohë, por do të kthehem përsëri, sepse ky shërbim është pjesë e qenies sime, jeton brenda meje.
Ju jam mirënjohës sot, nesër, përgjithmonë.
Ju uroj të gjitha të mirat.
Faleminderit nga zemra!
I juaji,
ARTANI”
Artan Loshaj ka lënë pas një shembull të përkushtimit, përgjegjësisë dhe sakrificës në shërbim të komunitetit, duke qenë një figurë e respektuar dhe e dashur për kolegët dhe qytetarët e Dragashit.
– Dragash Info