Botë

Arifi sfidon Osmanin për pretendimin e 20 çnjohjeve: Të publikojë prova ose është “rrenë e kulluar” Pretendimi i Pres…

12.01.2026. 2 min čitanja

Arifi sfidon Osmanin për pretendimin e 20 çnjohjeve: Të publikojë prova ose është “rrenë e kulluar”

Pretendimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se ka ndalur dhe rikonfirmuar rreth 20 raste të ashtuquajtura të “çnjohjes” së Kosovës, ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik dhe diplomatik.

Ish-diplomati Avni Arifi ka kërkuar nga Osmani që të paraqesë prova konkrete për këtë pretendim, duke theksuar se pa dokumente zyrtare diplomatike, një deklaratë e tillë mbetet e pabazuar.

“Nëse kjo është e vërtetë, është punë e jashtëzakonshme dhe meriton duartrokitje të jashtëzakonshme. Por pyetja është: a janë kthyer realisht këto shtete?”, ka shkruar Arifi në reagimin e tij publik.

Sipas tij, në praktikën e politikës ndërkombëtare, një proces i tillë konsiderohet i vërtetë vetëm nëse:

shteti përkatës i dërgon Republikës së Kosovës një notë diplomatike duke konfirmuar njohjen, ose vendosen marrëdhënie diplomatike zyrtare me Kosovën.

Arifi thekson se, përveç një deklarate formale nga Presidenti i Ganës se vendi i tij vazhdon ta njohë Kosovën, opinioni publik nuk ka pasur asnjë informacion tjetër zyrtar për ndonjë shtet që e ka “rinjohur” Kosovën.

“Këtu nuk ka asgjë konfidenciale që nuk mund të publikohet. Le t’i publikojë Presidentja notat diplomatike, njoftimet apo çfarëdo prove.

Përndryshe, kjo është rrenë e kulluar”, ka shkruar ai, duke shtuar se deklarata të tilla po shiten lehtë në opinion pa u mbështetur në fakte.

Reagimi i Arifit vjen pas deklaratës së Osmanit, e cila kishte thënë se Presidenca ka trajtuar të gjitha pretendimet për çnjohje gjatë viteve të fundit dhe se shumica e tyre janë rikonfirmuar.

Debati i hapur rreth kësaj çështjeje ka rikthyer në fokus transparencën institucionale dhe nevojën për prova të verifikueshme në raportimet për sukseset diplomatike të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

© Dragash Info

Original Facebook objava