Botë

Arifi: Lajçaku ishte partner i afërt i Kurtit dhe Bislimit deri te Marrëveshja e Ohrit Ish-kryenegociatori i Kosovës…

01.02.2026. 2 min čitanja

Arifi: Lajçaku ishte partner i afërt i Kurtit dhe Bislimit deri te Marrëveshja e Ohrit

Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka reaguar ndaj mënyrës se si, sipas tij, po paraqitet së fundmi emisari evropian Miroslav Lajçak në opinionin publik, duke thënë se po tentohet një rishkrim i historisë politike rreth rolit të tij në dialog.

Në një postim në Facebook, Arifi ka theksuar se deri në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, Lajçak ka qenë partner i afërt dhe i besuar i kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Fatmir Bislimi, ndërsa zhgënjimi ndaj tij ka nisur vetëm pasi, sipas Arifit, Lajçaku nuk ka vepruar në përputhje me pritshmëritë politike të Kurtit.

“Deri te Marrëveshja e Ohrit, Miroslav Lajçak ishte dost i Kurtit dhe i Bislimit. Albin Kurti e mbante si partner evropian ‘të preferuar’, deri në momentin kur erdhi Ohri dhe Lajçaku s’e luajti lojën sipas pritjeve të Kurtit. Aty filloi zhgënjimi”, ka shkruar Arifi.

Ai ka kujtuar se në kohën kur liderë të opozitës, përfshirë Ramush Haradinajn, kërkonin orientim më të madh drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti kishte insistuar në një qasje kryesisht evropiane në dialog.

“S’jemi na Meksikë me u kufizu me Amerikën, na jemi Evropë”, citon Arifi një nga qëndrimet e Kurtit të asaj kohe.

Sipas Arifit, pas Marrëveshjes së Ohrit ka nisur, siç e quan ai, “prishja e kumarisë” dhe më pas riformësimi i narrativës politike, ku përgjegjësia për zhvillimet në dialog i është atribuar Lajçakut dhe Bashkimit Evropian.

“Politika ka memorie të shkurtër, por faktet nuk zhduken. Kjo histori, sado që po tentohet me u harru, ka qenë krejt ndryshe”, përfundon Arifi.

Deklarimi i tij vjen në një kohë kur emri i Miroslav Lajçak është përmendur edhe në raportime ndërkombëtare lidhur me dosjen e financierit Jeffrey Epstein, çka ka nxitur debat të gjerë publik.

— Dragash Info

Original Facebook objava