Botë

Anulohet seanca për rastin e Nagip Krasniqit, shkak avancimi i kryetarit të trupit gjykues Është anuluar seanca gjyqë…

12.01.2026. 3 min čitanja

Anulohet seanca për rastin e Nagip Krasniqit, shkak avancimi i kryetarit të trupit gjykues

Është anuluar seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, e cila ishte paraparë të mbahej sot me fillim nga ora 09:30.

Anulimi i seancës ka ndodhur për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Arben Hoti, në Gjykata e Apelit e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Dragash Info zyrtarja për informim në Gjykata Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se për këtë lëndë së shpejti do të caktohet gjyqtari i ri.

“Gjykata ka anuluar seancën e caktuar me datë 12.01.2026 në çështjen penale kundër të pandehurit N.K., për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues – gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Lënda do t’i caktohet së shpejti gjyqtarit bartës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës së re gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Detaje nga aktakuza

Sipas aktakuzës së Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Nagip Krasniqi, në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi, dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik Holding Slovenske Elektrane nga Sllovenia tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në aktakuzë thuhet se Krasniqi ka aprovuar blerje, ka nënshkruar kontrata dhe ka autorizuar vazhdimin e tregtimit, ndonëse operatori në fjalë nuk ishte i licencuar apo nuk kishte njohje licence nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Si pasojë, sipas Prokurorisë, operatorit i është mundësuar përfitim pasuror dhe shmangie nga pagesat tatimore, duke shkaktuar dëm në buxhetin e Kosovës në vlerë prej 531.920,79 euro, si dhe dëmtim e diskriminim të operatorëve të tjerë të licencuar në treg.
Po ashtu, thuhet se dëmi material ndaj KEK-ut është në shkallë të madhe, në vlerë prej 3.229.905 euro.

Zhvillimet e mëparshme

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën ndaj Krasniqit më 19 gusht 2024 për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill 2023, me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit. Ai kishte qëndruar në paraburgim nga 20.04.2023, ndërsa ishte liruar më 15.09.2023.

Ndërkohë, më 30 dhjetor 2024, Prokuroria Speciale ka ngritur edhe një aktakuzë tjetër ndaj tij për veprat penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

— Dragash Info

Original Facebook objava