Lokale

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren

25.03.2026. 2 min čitanja

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, nën dyshimin për përfshirje në keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik. Sipas njoftimit zyrtar, i pandehuri B.J. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri J.B., në cilësinë e përfaqësuesit të operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, B.J., në cilësinë e personit zyrtar dhe mbikëqyrës i projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje”, gjatë periudhës nga gushti 2022 deri më 16 gusht 2024, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij duke përpiluar raporte dhe situacione fiktive, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Në aktakuzë thuhet se përmes këtyre veprimeve është vënë në lajthim Komisioni për Pranimin Teknik, i cili ka konfirmuar gabimisht përfundimin e punimeve sipas kontratës, ndonëse gjendja në terren nuk përputhej me raportimet. Si pasojë, janë realizuar pagesa në favor të operatorëve ekonomik, edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kontratës, duke i shkaktuar Prizren dëm material në vlerë prej 18,765 euro, aq sa edhe përfitimi i kundërligjshëm. Ndërkohë, i pandehuri J.B. dyshohet se, në bashkëpunim me B.J., ka shkelur procedurat e prokurimit publik dhe nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale, me qëllim përfitimi pasuror. Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi. — Dragash Info