Agim Veliu kërkon dorëheqje dhe zgjedhje të reja në LDK: Humbjet e rënda nuk mund të kalohen me heshtje Ish-nënkryeta…
Agim Veliu kërkon dorëheqje dhe zgjedhje të reja në LDK: Humbjet e rënda nuk mund të kalohen me heshtje
Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka kërkuar dorëheqje dhe zgjedhje të brendshme në parti pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat ai i konsideron humbje të rëndë për partinë.
Veliu tha se rezultati është një “sinjal i qartë” nga qytetarët që nuk mund të relativizohet ose të kalojë pa reflektim.
“Të dashur anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë, rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për LDK-në është një mesazh i qartë që kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike. Humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje”, shkroi Veliu.
Ai theksoi se në demokraci përgjegjësia është parakusht për besim dhe se dorëheqja nuk është dobësi, por “akt force dhe pjekurie politike”. Veliu ka kërkuar:
Analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes;
Hapje të brendshme dhe demokraci funksionale;
Proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet për të rikthyer besimin e humbur tek anëtarësia dhe elektorati.
“Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme. Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje të asaj që nuk mbrohet. LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, jo kandidat të përhershëm!”, shkroi ai.
Veliu përfundoi mesazhin e tij me një thirrje për unitet dhe përkushtim: “Zoti e bekoftë LDK-në”.
© Dragash Info