Botë

AFP: Kosova shtyn ligjin për të huajt, paralajmërohej destabilizim i marrëdhënieve

14.03.2026. 3 min čitanja

AFP: Kosova shtyn ligjin për të huajt, paralajmërohej destabilizim i marrëdhënieve Agjencia ndërkombëtare e lajmeve AFP ka raportuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 12 muaj zbatimin e rregullave të reja të Ligjit për të Huajt, vendim i bërë i ditur nga kryeministri Albin Kurti. Sipas raportimit, ligji parashikonte që të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë për arsye të ndryshme, nga punësimi deri te bashkimi familjar, të pajisen me leje qëndrimi. Gjithashtu, ligji ndalonte përdorimin e automjeteve me targa të huaja në rrugët e Kosovës për më shumë se tre muaj. AFP thekson se ky hap rrezikonte të destabilizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat mbeten të brishta që nga lufta e viteve 1990, veçanërisht në veri të Kosovës ku shumicën e popullsisë e përbëjnë serbët. Pas një takimi me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, kryeministri Kurti njoftoi se qeveria e tij do t’u ofrojë punëtorëve dhe studentëve serbë leje qëndrimi të përkohshme për 12 muaj, me mundësi zgjatjeje. Sorensen deklaroi se Bashkimi Evropian ka zhvilluar diskutime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit për këtë çështje dhe se vendimi për shtyrjen e ligjit është marrë me qëllim që të mos pengohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore në zonat me shumicë serbe. Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, ka reaguar në rrjetin social X, duke e cilësuar këtë hap si “një përparim të rëndësishëm për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë”. Në raportim përfshihet edhe reagimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili ka deklaruar se kjo zgjidhje do të mundësojë funksionimin normal të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë. Sipas AFP-së, Serbia vazhdon të financojë një sistem paralel arsimor dhe shëndetësor në Kosovë, ndërsa shumë punonjës të këtyre institucioneve posedojnë dokumente identiteti serbe dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, kryeministri Kurti ka njoftuar edhe një lehtësim tjetër për serbët etnikë, duke premtuar se procedurat për marrjen e kartës së identitetit të Kosovës do të thjeshtohen. — Dragash Info