Abdixhiku u bën thirrje të larguarve dhe të dëshpëruarve: Kthehuni në shtëpinë tuaj politike, kemi nevojë për secilin…
Abdixhiku u bën thirrje të larguarve dhe të dëshpëruarve: Kthehuni në shtëpinë tuaj politike, kemi nevojë për secilin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së Kuvendit të partisë, ku përmes votëbesimit delegatët nuk e kanë pranuar dorëheqjen e ofruar nga ai.
Abdixhiku ka bërë të ditur se Kuvendi i LDK-së ka miratuar dy deklarata, njëra lidhur me gjendjen politike në vend, ndërsa tjetra për organizimin e brendshëm të partisë, proces që pritet të nisë në ditët në vijim me qëllim funksionalizimin e plotë të LDK-së.
“LDK ka miratuar dy deklarata që do të bëhen publike. Njëra është mbi gjendjen politike, tjetra për organizimin e LDK-së, i cili do të nisë sa më parë, në mënyrë që LDK të jetë funksionale. Në sferën politike do të angazhohemi për diskutime të hapura me të gjithë spektrin politik”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai u ka bërë thirrje të hapur të gjithë atyre që janë ndjerë të pakënaqur ose janë larguar nga partia ndër vite, përfshirë edhe ish-zyrtarë me funksione të larta, që të rikthehen dhe të kontribuojnë në qëllimin e përbashkët të LDK-së.
“Sonte ju bëj thirrje të gjithëve, sidomos atyre që kanë qenë të pakënaqur me politikën e LDK-së, edhe atyre që kanë pasur funksione të larta, që të rreshtohen pas qëllimit të përbashkët të anëtarësisë. Jemi pak, kemi nevojë për secilin. U bëj thirrje edhe të dëshpëruarve, të larguarve dhe të dorëhequrve që të kthehen brenda shtëpisë së tyre politike, në funksion të plotë politik”, ka theksuar ai.
— Dragash Info