ABDIXHIKU FALËNDERON VOTUESIT E LDK-SË: “RESPEKTOJMË DHE PËRULEMI PARA VERDIKTIT TË POPULLIT” Kryetari i Lidhja Demok…
ABDIXHIKU FALËNDERON VOTUESIT E LDK-SË: “RESPEKTOJMË DHE PËRULEMI PARA VERDIKTIT TË POPULLIT”
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar publikisht të gjithë qytetarët që votuan për këtë subjekt politik në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se çdo votë e marrë është përgjegjësi dhe obligim për të ardhmen.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku u shpreh mirënjohës ndaj 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje.
“Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vështirë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka pranuar se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritej, por ka theksuar se bëhet fjalë për verdikt të qytetarëve, i cili duhet respektuar.
“Rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë.
LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon”, ka deklaruar ai.
Tutje, Abdixhiku ka bërë të ditur se pas certifikimit të rezultateve do të mblidhet Kryesia e LDK-së dhe më pas Kuvendi i partisë, ku do të vendoset për rrugën e mëtejme politike dhe organizative.
“LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen me statuse emocionale apo debate të çastit. Në Kuvendin e LDK-së, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së”, ka theksuar ai.
Kreu i LDK-së ka pasur edhe një mesazh për ata që, sipas tij, po e sulmojnë partinë nga jashtë.
“Qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja është më e madhe se çdo individ dhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë”, ka përfunduar Abdixhiku.
— Dragash Info