Prizreni shpallet “Qyteti Evropian i Sportit 2026” në Parlamentin Evropian Prizreni ka marrë sot zyrtarisht çmimin “Q…
Prizreni shpallet “Qyteti Evropian i Sportit 2026” në Parlamentin Evropian
Prizreni ka marrë sot zyrtarisht çmimin “Qyteti Evropian i Sportit 2026” në një ceremoni të mbajtur në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Vlerësimi vjen pas një procesi njëvjeçar të punës intensive dhe profesionalizmit të ekipeve lokale që kanë përgatitur dosjen e kandidimit.
Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e cilësoi këtë arritje si rezultat të përkushtimit të shumë njerëzve që kanë punuar pas skenës.
“Ky sukses është rezultat i një pune të jashtëzakonshme gjatë vitit të kaluar, një proces i gjatë, sfidues dhe tepër profesional, i cili u kurorëzua me këtë vlerësim të madh për qytetin tonë”, shkruan Totaj.
“Një falënderim i posaçëm shkon për ekipin që e bëri të mundur këtë arritje, pa përkushtimin dhe angazhimin e të cilit kjo ditë nuk do të ishte e mundur”.
Totaj premton se sporti do të mbetet një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij të ri, duke paralajmëruar investime të mëtejshme në infrastrukturë dhe mbështetje për klubet dhe talentet e reja.
“Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë moderne, në mbështetjen e klubeve sportive, të të rinjve e talentëve, si dhe mbi të gjitha, në ndërtimin e një Prizreni më aktiv, më të shëndetshëm dhe më energjik”.
Totaj tha se ky çmim është një shtysë e re për zhvillimin e qytetit.
“Ky çmim është motivim për të punuar edhe më shumë. Prizreni meriton më të mirën dhe ne do të vazhdojmë të zhvillohemi”. |Dragash Info|


