Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: 8 punime shkencore dhe tetë konferenca në 2025-ën të financuara…
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: 8 punime shkencore dhe tetë konferenca në 2025-ën të financuara me 17 mijë euro nga UP-ja
Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës publikoi 8 punime shkencore dhe mori pjesë në 8 konferenca, me mbështetje financiare nga Universiteti i Prishtinës në shumën prej 17,000 eurove.
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike edhe në vitin 2025 është angazhuar për të qenë në hap me kohën dhe zhvillimet e hovshme teknologjike me anë të aktiviteteve të ndryshme, mësimdhënies moderne dhe avancimit të kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.
Personeli akademik i këtij fakulteti në vitin 2025 publikoi tetë punime shkencore të gjitha në revista të indeksuara në „Web of Science” në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI. Punimet e FIEK-ut u mbështetën nga Universiteti i Prishtinës me 9,600 euro.
Profesorët nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike morën pjesë ose organizuan tetë konferenca shkencore (1 ndërkombëtare dhe 7 rajonale) për të cilat UP-ja ndau 7.400 euro.
Në këtë fakultet i kushtohet rëndësi e veçantë angazhimit, gjithëpërfshirjes dhe aftësimit të studentëve, sidomos në fushën e teknologjisë informative në mënyrë që ata kur të diplomojnë të kenë njohuri të shumta për këtë fushë gjithnjë në ndryshim.
Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologjinë Informative dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike organizoi ngjarjen „Shecurity Conference and Hackathon 2025”, për të promovuar barazinë gjinore dhe përfshirjen më të madhe të vajzave dhe grave në teknologjinë e së ardhmes.
Gjithashtu në këtë fakultet sivjet u organizua edicioni i dhjetë i konferencës kryesore rajonale për softuer dhe harduer të hapur „Software Freedom Kosova 2025”.
Një ish-studente e këtij fakulteti, Dredhza Braina, fitoi çmimin „Cybersecurity Women of the Year 2025” në kategorinë „Barrier Breaker”.
https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,38,3698