Restelicë: Reagim institucional për punimet në hyrje të fshatit Restelicë – Asambleisti i Kuvendit Komunal të Dragash…
Restelicë: Reagim institucional për punimet në hyrje të fshatit
Restelicë – Asambleisti i Kuvendit Komunal të Dragashit nga radhët e Jedinstvena Goranska Partija (JGP), Danis Hodza, ka njoftuar se së bashku me zëvendëskryetarin e komunës nga radhët e komuniteteve pakicë, Fejsal Haliloviq, ka zhvilluar një takim me kryetarin e komunës lidhur me problemet e shkaktuara nga punimet në hyrje të fshatit Restelicë, në kuadër të ndërtimit të lartpërquesit nëntoksor.
Sipas njoftimit, në takim është adresuar shqetësimi i banorëve për gjendjen e rrugës nga hyrja e fshatit deri te Ura e Epërme, e cila aktualisht është e gërmuar dhe e ngushtuar, duke pamundësuar qarkullimin e sigurt të automjeteve dhe manovrimin normal të tyre.
Po ashtu, është theksuar mungesa e sinjalizimit adekuat rrugor dhe e paralajmërimeve për punime, çka sipas përfaqësuesve institucionalë përbën rrezik serioz për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Asambleisti Hodza ka bërë të ditur se nga ana e kryetarit të komunës është shprehur mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkëpunim, duke u dhënë garanci se punimet do të përfundojnë deri në fund të kësaj jave, me qëllim të rikthimit të qarkullimit normal dhe të sigurt nëpër fshat.
Ai ka theksuar se realizimi i këtij zotimi do të ndiqet nga afër dhe se, nëse do të ketë nevojë, do të ndërmerren hapa institucionalë në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e interesit dhe sigurisë së qytetarëve të Restelicës.
“Suguria e qytetarëve duhet të mbetet prioritet i përbashkët i të gjitha institucioneve”, thuhet në reagimin e tij.
|Dragash Info|