Lumir Abdixhiku viziton Dragashin: Familja në qendër të vizionit politik të LDK-së Kryetari i Lidhjes Demokratike të…
Lumir Abdixhiku viziton Dragashin: Familja në qendër të vizionit politik të LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), z. Lumir Abdixhiku, ka vizituar sonte komunën e Dragashit, ku mori pjesë në një tubim me qytetarë dhe struktura lokale të partisë.
Gjatë fjalës së tij, Abdixhiku theksoi rëndësinë e veçantë që Dragashi ka për vlerat familjare, solidaritetin dhe lidhjet shoqërore, duke e cilësuar këtë komunë si shembull të një shoqërie të ndërtuar mbi familjen dhe punën e ndershme.
Ai theksoi se për LDK-në, familja përbën pasurinë më të madhe kombëtare të Kosovës, duke nënvizuar se pa familje të fortë nuk mund të ketë shtet të fortë dhe zhvillim të qëndrueshëm. Sipas tij, familja ka qenë historikisht shtylla kryesore e qëndrueshmërisë sociale, veçanërisht në zona si Dragashi, ku ajo ka luajtur rolin e mbështetjes ekonomike, edukative dhe morale për breza të tërë.
Abdixhiku foli edhe për sfidat me të cilat po përballen sot familjet kosovare, përfshirë presionin ekonomik, pasigurinë sociale dhe migrimin e të rinjve, duke theksuar se këto probleme kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme shtetërore. Në këtë kuadër, ai prezantoi angazhimin e LDK-së për themelimin e një Ministrie të Familjes, si investim afatgjatë në të ardhmen e vendit.
Në këtë vizitë u theksua edhe përfaqësimi i Dragashit në listën zgjedhore të LDK-së, ku sipas Abdixhikut, komuna përfaqësohet nga tre kandidatë profesionistë dhe të përkushtuar: Esra Myrtezani (nr. 96), Zeni Krasniqi (nr. 95) dhe Samidin Xheladini (nr. 94).
Vizita e kryetarit të LDK-së në Dragash u zhvillua në kuadër të aktiviteteve politike të partisë dhe u karakterizua nga pjesëmarrje e qytetarëve dhe diskutime rreth vizionit për zhvillimin social dhe familjar në Kosovë.












