Prokurori i Shtetit i angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor Zyra e Kryeprokuro…
Prokurori i Shtetit i angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar opinionin publik se, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, në këto zgjedhje do të angazhohen rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të jenë kujdestarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor. Angazhimi i tyre ka për qëllim procedimin e çdo parregullsie eventuale që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit.
Prokurori i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave të ndryshme që të denoncojnë pranë prokurorive përkatëse çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret apo manipulohet vota, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.
Nga Sistemi Prokurorial është theksuar se mbrojtja e vullnetit të lirë të qytetarëve mbetet prioritet institucional gjatë gjithë procesit zgjedhor.