“Gjendje alarmante” – Totaj: Lagje dhe fshatra të Prizrenit pa energji elektrike prej 2–3 ditësh Kryetari i Komunës s…
“Gjendje alarmante” – Totaj: Lagje dhe fshatra të Prizrenit pa energji elektrike prej 2–3 ditësh
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili ka fituar edhe një mandat të ri në krye të komunës, ka reaguar lidhur me ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike që po prekin qytetin dhe zonat përreth.
Në një deklaratë për Dragash Info, Totaj tha se ka lagje dhe fshatra që kanë mbetur pa rrymë për dy deri në tri ditë me radhë, duke e cilësuar situatën si tejet alarmante, veçanërisht në një kohë kur çmimi i energjisë elektrike është i lartë.
“Jo vetëm ndërprerje prej 24 orësh, por ka edhe lagje dhe fshatra që kanë mbetur pa rrymë për dy deri në tri ditë. Përveç se energjia elektrike është shumë e shtrenjtë, mungesa e saj paraqet një gjendje alarmante. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e performancës së kësaj qeverie, e cila, sipas meje, është në ikje,” ka deklaruar Totaj.
Ai shtoi se për shkak të mungesës së energjisë elektrike, Komuna e Prizrenit është detyruar të anulojë edhe disa tubime elektorale.
“Kemi raste ku fshatra të tëra, por edhe lagje brenda qytetit, kanë mbetur pa energji elektrike për dy deri në tri ditë, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në aktivitetet tona,” theksoi ai.