Situatë emergjente në Dragash: Komuna apelon për mobilizim qytetar pas reshjeve të dendura Reshjet e pandërprera dhe…
Situatë emergjente në Dragash: Komuna apelon për mobilizim qytetar pas reshjeve të dendura
Reshjet e pandërprera dhe të dendura gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar rritje të madhe të prurjeve në lumenj dhe përrocka, duke tejkaluar kapacitetet e tyre dhe duke krijuar situata emergjente në shumë fshatra të Komunës së Dragashit.
Ekipet emergjente të komunës janë vënë në terren, duke monitoruar situatën dhe ndërmarrë masat e nevojshme, ndërsa disa kompani private, duke përfshirë edhe ato ndërtimore, kanë dalë në ndihmë për të çbllokuar rrugë dhe përroje të përmbytura.
Kryetari i komunës, Bexhet Xheladini, u ka bërë thirrje qytetarëve për mobilizim dhe kujdes të shtuar, duke kërkuar bashkëpunim për minimizimin e dëmeve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës.
Postimi i plotë i kryetarit:
APEL PËR MOBILIZIM DHE KUJDES TË SHTUAR
Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit,
Si pasojë e reshjeve të pandërprera dhe të dendura të 24 orëve të fundit, prurjet në lumenj dhe përrocka kanë shënuar rritje të madhe dhe kanë tejkaluar kapacitetet e shtretërve të tyre. Situata paraqitet emergjente në shumë fshatra të Komunës së Dragashit, duke rrezikuar pronën dhe sigurinë e qytetarëve.
Ekipet emergjente të Komunës janë në terren, në veprim dhe në vëzhgim të vazhdueshëm të situatës. Gjithashtu, disa kompani private janë vënë në gjendje gatishmërie, megjithatë kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të përballuar të gjitha nevojat.
Me këtë rast, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mobilizohen, sipas mundësive që kanë, me pajisje dhe mjete të nevojshme, për të ndihmuar në sanimin e gjendjes së rrezikut dhe për të minimizuar dëmet.
Apeloj për kujdes të shtuar, bashkëpunim dhe solidaritet qytetar. Vetëm me angazhim të përbashkët mund ta përballojmë këtë situatë dhe të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve tonë.
Ne do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të mëtejmë.
Me respekt,
Bexhet Xheladini, Kryetari i Komunës së Dragashit
— Dragash Info