MAShTI shtyn fillimin e mësimit deri më 12 janar për shkak të reshjeve dhe vërshimeve Ministria e Arsimit, Shkencës,…
MAShTI shtyn fillimin e mësimit deri më 12 janar për shkak të reshjeve dhe vërshimeve
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar opinionin publik se, për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe kushteve të vështirësuara në disa zona të vendit, ka marrë vendim që fillimi i procesit mësimor të shtyhet deri të hënën, më 12 janar 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave të Kosovës, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, Ministria ka vendosur që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë shtesë, përkatësisht më 8 dhe 9 janar.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, çka e bën të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor.
MAShTI ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i mësimit i paraparë për ditën e enjte nuk është i mundur.
Mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026, ndërsa orët e humbura gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Ministria ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioriteti kryesor.
— Dragash Info