Botë

Kukësi, qyteti i parë në botë i nominuar për Çmimin Nobel për Paqen: “Hapi dyert për 400 mijë njerëz”, shkruante BBC…

07.01.2026. 3 min čitanja

Kukësi, qyteti i parë në botë i nominuar për Çmimin Nobel për Paqen: “Hapi dyert për 400 mijë njerëz”, shkruante BBC

Qyteti i Kukësit hyri në histori në vitin 2000, kur u bë qyteti i parë në botë i nominuar për Çmimin Nobel për Paqen. Kështu e nis një artikull të publikuar kohë më parë media prestigjioze BBC, e cila kthehet pas në kohë për të kujtuar një nga kapitujt më humanë të historisë moderne shqiptare.

Në kulmin e luftës në Kosovë, Kukësi hapi dyert për rreth 400 mijë refugjatë kosovarë, të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dhe spastrimit etnik. Me vetëm 16 mijë banorë dhe i vendosur rreth 20 kilometra nga kufiri, qyteti u shndërrua për një periudhë të shkurtër në simbol botëror të solidaritetit dhe njerëzimit.

Pas përfundimit të luftës dhe kthimit të refugjatëve në Kosovë, Kukësi u përball me sfida të mëdha sociale dhe ekonomike. BBC thekson se qyteti, i konsideruar si më i varfri në Shqipëri, përjetoi një eksod të brendshëm, ku rreth 53 për qind e banorëve u larguan në kërkim të një jete më të mirë jashtë vendit.

Megjithatë, sot shpresa po rikthehet. Me rritjen e numrit të vizitorëve në Shqipëri, banorët e Kukësit besojnë se turizmi mund të jetë çelësi për ringjalljen e qytetit dhe një mundësi për brezin e ri që të qëndrojë dhe të ndërtojë të ardhmen aty.

Ndërtimi i Aeroportit të Kukësit, zhvillimi i shtigjeve të ecjes malore, si dhe interesimi për reliket e periudhës komuniste, po e kthejnë vëmendjen drejt historisë unike dhe traditës së mikpritjes së këtij rajoni. BBC vlerëson se Kukësi dhe rrethina e tij po përpiqen të joshin udhëtarët në një nga qoshet më pak të njohura të Evropës.

Me majat kolosale malore, lumenjtë me ujëra bruz dhe natyrën e paprekur, rajoni ofron potencial të madh për turizëm aventurier. Në fshatin Shistavec, rreth 45 minuta larg me makinë nga Kukësi, shtëpitë tradicionale prej druri janë ndërtuar për skiatorë dhe alpinistë, ndërsa vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër me kulturën malore të goranëve, të cilët flasin një gjuhë sllave të veçantë nga shqipja.

“Duke hapur dyert për rreth 400 mijë njerëz, Kukësi i tregoi botës se edhe në momentet më të errëta mbizotëron njerëzimi”, thekson BBC. Sot, banorët shpresojnë që duke ndarë historitë e komunizmit, konfliktit dhe mikpritjes, të promovojnë vlerat e paqes, solidaritetit dhe bashkëjetesës.

— Dragash Info

Original Facebook objava