Shtatë vende të mëdha evropiane kundërshtojnë synimet e Trumpit për Groenlandën Shtatë shtete të mëdha evropiane kanë…
Shtatë vende të mëdha evropiane kundërshtojnë synimet e Trumpit për Groenlandën
Shtatë shtete të mëdha evropiane kanë dalë hapur kundër deklaratave dhe synimeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lidhur me marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke theksuar se ishulli i përket popullit të tij dhe se çështja e statusit të tij është ekskluzivisht në kompetencë të Danimarkës dhe Groenlandës.
Në një deklaratë të përbashkët, të nënshkruar nga Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka, thuhet se respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial është parim themelor i rendit ndërkombëtar.
“Është vetëm çështje e Danimarkës dhe Groenlandës se si do të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën. Groenlanda i përket popullit të saj”, thuhet në deklaratë.
Nënshkruesit theksojnë rëndësinë e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve, të sanksionuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, në deklaratë nënvizohet se Groenlanda është pjesë e hapësirës së NATO-s dhe se siguria në Arktik duhet të ndërtohet në mënyrë të përbashkët.
Në këtë kontekst, SHBA-të përshkruhen si “partner thelbësor”, por brenda kornizës së bashkëpunimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Këto qëndrime vijnë si reagim ndaj deklaratave të përsëritura të presidentit Trump, i cili ka shprehur interes për Groenlandën, duke e arsyetuar atë me rëndësinë strategjike dhe të sigurisë për Shtetet e Bashkuara.
Ekspertët vërejnë se Neni 5 i NATO-s parashikon mbrojtje kolektive në rast sulmi nga jashtë, por nuk rregullon skenarë ku një vend anëtar do të ushtronte presion apo veprime ndaj një tjetër vend anëtar.
Groenlanda është territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, e cila, ashtu si SHBA-të, është anëtare e NATO-s. Ishulli konsiderohet gjithashtu si zonë e pasur me burime natyrore, çka ka nxitur debate se interesimi amerikan lidhet jo vetëm me sigurinë, por edhe me potencialin ekonomik të rajonit.
Aktualisht, mbetet e paqartë se si do të zhvilloheshin marrëdhëniet ndërkombëtare nëse tensionet do të rriteshin, por deklarata e shtatë vendeve evropiane sinjalizon një qëndrim të bashkuar në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe sovranitetit territorial.
— Dragash Info