Situatë alarmante nga vërshimet, AKK kërkon fond emergjent për komunat Situata e krijuar nga vërshimet në disa komuna…
Situatë alarmante nga vërshimet, AKK kërkon fond emergjent për komunat
Situata e krijuar nga vërshimet në disa komuna të Kosovës është serioze dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme institucionale, ka bërë të ditur Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Ibrahimi tha se ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të prekura nga reshjet e fundit, ndërsa dëmet e raportuara janë të konsiderueshme si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe për infrastrukturën publike.
Sipas tij, situata më kritike është në komunën e Malishevës, ku lumi Mirusha dhe diga pranë tij ndodhen në gjendje të rënduar dhe paraqesin rrezik serioz për qytetarët.
AKK ka kërkuar themelimin e një Fondi Emergjent për Komuna, i cili të shërbejë si mekanizëm i përhershëm për reagim të shpejtë ndaj fatkeqësive natyrore. Po ashtu, është kërkuar eliminimi i burokracisë në procesin e kompensimit të dëmeve, pasi qytetarët dhe bizneset ende nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e viteve të kaluara.
Ibrahimi përmendi rastin e Drenasit, ku shtatë ura të dëmtuara nga reshjet para disa vitesh nuk janë rikonstruktuar ende, duke e cilësuar këtë gjendje si të papranueshme. Ai shtoi se vendimet e miratuara nga kuvendet komunale mbi bazën e vlerësimeve profesionale duhet të ekzekutohen nga niveli qendror, në mënyrë që dëmet të mos mbesin të pakompensuara për vite me radhë.
— Dragash Info