Komuna e Dragashit vazhdon intervenimet në terren pas vërshimeve Komuna e Dragashit po vazhdon angazhimin intensiv në…
Komuna e Dragashit vazhdon intervenimet në terren pas vërshimeve
Komuna e Dragashit po vazhdon angazhimin intensiv në terren për menaxhimin e situatës së krijuar pas reshjeve të fundit dhe vërshimeve.
Sot, drejtori për Emergjenca, Redzep Ibrahimi, së bashku me kryetarin e Komunës, zëvendëskryetarin, shefin e Zyrës për Komunitete, drejtorët e Kadastrës dhe Shëndetësisë, si dhe operatorë ekonomikë, kanë realizuar një vizitë në zonat e prekura për të vlerësuar nga afër gjendjen dhe për të koordinuar veprimet e mëtejshme.
Në fshatin Mlikë, në disa segmente janë hapur kanalet me ndihmën e mekanizmit të rëndë, ndërsa aktualisht po punohet në zhbllokimin e segmentit të fundit që ka qenë plotësisht i bllokuar.
Rruga që çon drejt fshatit Orçushë është tashmë e qarkullueshme, pas aksionit të djeshëm për pastrimin e kanaleve dhe pusetave.
Ndërkohë, në rrugën rajonale Dragash–Brod, në disa pika janë regjistruar rrëshqitje të gurëve dhe dheut. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks rrugor. Gjendja e rrugës është raportuar edhe tek shërbimet kompetente të Ministrisë përkatëse.
Shërbimet komunale mbeten në gatishmëri të plotë dhe po vazhdojnë monitorimin e situatës në terren, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe pasurisë së tyre.
— Dragash Info