Xheladini: Gjendja më e rënduar pas vërshimeve në fshatin Mlikë, Komuna në gatishmëri të plotë Reshjet e dendura të s…
Xheladini: Gjendja më e rënduar pas vërshimeve në fshatin Mlikë, Komuna në gatishmëri të plotë
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në disa fshatra dhe zona të Komunës së Dragashit, duke prekur infrastrukturën rrugore, kanalizimet si dhe duke shkaktuar rrëshqitje të dheut.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se sot, së bashku me nënkryetarin e komunës dhe një pjesë të stafit komunal, kanë vizituar nga afër zonat e prekura për të vlerësuar situatën dhe për të ndërmarrë veprime konkrete.
Sipas tij, gjendja më e rënduar aktualisht paraqitet në fshatin Mlikë, ku pas disa orësh qëndrimi në terren është arritur të realizohet një zgjidhje e përkohshme për tejkalimin e situatës emergjente. Ndërkaq, në fshatin Rrenc, pas një rrëshqitjeje masive të dheut, një banori i është pamundësuar qasja në shtëpinë e tij.
Kryetari Xheladini njofton se nesër do të mblidhet Shtabi Emergjent i Komunës, i cili do të analizojë gjendjen në terren dhe, në bazë të vlerësimeve profesionale, do të marrë vendime dhe masa konkrete për menaxhimin e mëtejmë të situatës.
Duke pasur parasysh se gjendja emergjente ende nuk ka kaluar dhe se gjatë orëve të mbrëmjes kanë rifilluar reshjet e shiut, kryetari i Komunës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kompanive përgjegjëse për mirëmbajtjen e zonave që të tregojnë kujdes maksimal dhe vigjilencë të shtuar.
Ai ka falënderuar për angazhimin e menjëhershëm dhe kontributin e dhënë kompanitë: Vllaznimi, Niki GD, Behari, Universal Komerc dhe Marashi, si dhe ekipet e emergjencës dhe qytetarët për solidaritetin dhe bashkëpunimin e treguar.
Në fund, kryetari Xheladini ka theksuar se Komuna e Dragashit do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe normalizimin e situatës në terren.
— Dragash Info












