Presidentja Osmani viziton Gjakovën pas vërshimeve: “Do të punojmë bashkërisht që kjo situatë të tejkalohet” Presiden…
Presidentja Osmani viziton Gjakovën pas vërshimeve: “Do të punojmë bashkërisht që kjo situatë të tejkalohet”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani‑Sadriu, ka vizituar sot komunën e Gjakovës, pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut që kanë prekur vendin në tërësi dhe Gjakovën në veçanti.
Gjatë vizitës, Presidentja Osmani është takuar me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, dhe ekipin e tij, të cilët po monitorojnë situatën në terren. Ajo po ashtu do të vizitojë familjet e prekura dhe zonat ku gjendja mbetet kritike.
“Kemi shprehur solidaritetin me qytetarët e Gjakovës dhe me komunën për dëmet e shkaktuara nga reshjet. Fatmirësisht, reshjet janë pak a shumë ndalur, dhe shpresojmë që nuk do të ketë dëme të mëtejshme”, tha Presidentja Osmani.
Ajo falenderoi institucionet që kanë punuar pa pushim, kryetarin e komunës dhe secilin qytetar që ka treguar solidaritet, duke ndihmuar në tejkalimin e situatës.
“Ka familje të prekura nga përmbytjet dhe vendbanime të dëmtuara. Do të punojmë bashkërisht që kjo situatë të tejkalohet. Kryetari Gjini na njoftoi për masat që janë ndërmarrë, dhe ne do të jemi aty për të bashkëpunuar, sepse çdo sfidë është e tejkalueshme kur punojmë së bashku”, tha Osmani.
– Dragash Info