Kurti: Natë kritike për qarkullimin, shmangni lëvizjet e panevojshme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajm…
Kurti: Natë kritike për qarkullimin, shmangni lëvizjet e panevojshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte priten kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për qarkullim në rrugët e vendit, si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave, të cilat pritet të zbresin deri në –9 gradë Celsius.
Sipas Kurtit, rrugët e lagura nga reshjet e shiut pritet të ngrihen gjatë natës, duke rritur rrezikun për aksidente dhe vështirësi serioze në trafik.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë masat e parapara për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.
“Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin. Megjithatë, kontrasti i madh i temperaturave paraqet rrezik të shtuar, prandaj kërkohet kujdes maksimal”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri theksoi se qytetarët që e kanë të domosdoshme të qarkullojnë gjatë natës duhet të vozitnin me kujdes të shtuar, duke iu përshtatur kushteve atmosferike dhe gjendjes së rrugëve.
“Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë, andaj edhe ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme”, ka apeluar Kurti.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të hershëm.
— Dragash Info