Botë

Zelensky: Aleatët nuk kanë dhënë ende garanci të qarta sigurie për Ukrainën Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky…

07.01.2026. 2 min čitanja

Zelensky: Aleatët nuk kanë dhënë ende garanci të qarta sigurie për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se aleatët evropianë ende nuk i kanë ofruar garanci të forta dhe të qarta sigurie Ukrainës në rast të një agresioni të ri nga Rusia, raporton BBC.

“Po ua bëj këtë pyetje të gjithë partnerëve tanë dhe ende nuk kam marrë një përgjigje të qartë dhe të padiskutueshme”, u ka thënë Zelensky gazetarëve të mërkurën.

Këto deklarata vijnë vetëm një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nënshkruan një deklaratë qëllimi për vendosjen e trupave në Ukrainë, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Megjithatë, sipas raportimeve, nuk është arritur marrëveshje për garanci të plota sigurie.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për përfundimin e luftës, thuhet se nuk e kanë nënshkruar një premtim të tillë gjatë bisedimeve të mbajtura të martën në Paris.

Pas këtyre bisedimeve, ku morën pjesë rreth 30 shtete që përbëjnë të ashtuquajturin “Koalicioni i Vullnetit”, kryeministri britanik Sir Keir Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të “krijojnë qendra ushtarake në të gjithë Ukrainën” me qëllim të parandalimit të një pushtimi të ardhshëm. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se mijëra trupa mund të vendosen në territorin ukrainas.

Aleatët kanë propozuar që SHBA-të të udhëheqin monitorimin e një armëpushimi, por çështja më e ndjeshme mbetet ajo e lëshimeve territoriale, të cilat Ukraina po kërkohet t’ia bëjë Rusisë si pjesë e propozimeve për paqe.

Nga ana tjetër, Moska nuk ka komentuar ende mbi njoftimet e bëra në kryeqytetin francez.

Presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndërsa aktualisht Rusia kontrollon rreth 20 për qind të territorit ukrainas.

— Dragash Info

Original Facebook objava