Rashiti: Presidentja Osmani duhet të japë sqarim të plotë për pasurinë dhe vilën në Marigona Hill Asamblisti shqiptar…
Rashiti: Presidentja Osmani duhet të japë sqarim të plotë për pasurinë dhe vilën në Marigona Hill
Asamblisti shqiptar në Kantonin e Bernit, Korab Rashiti, ka ngritur pikëpyetje publike lidhur me pasurinë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke kërkuar transparencë të plotë për burimin e të ardhurave dhe blerjen e një vile luksoze në lagjen Marigona Hill.
Në një reagim publik, Rashiti ka theksuar se presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj e kanë kaluar karrierën profesionale duke u financuar nga pagat e sektorit publik, çka sipas tij e bën të domosdoshëm një sqarim të detajuar për pasurinë e tyre.
“A është blerë vila në Marigona Hill me çmim real të tregut? Nëse po, me cilat të ardhura, kredi apo burime? Nëse jo, pse është dhënë favor?”, ka shkruar Rashiti, duke kërkuar që këto çështje të sqarohen publikisht.
Ai ka theksuar se transparenca nuk është çështje opsionale, por pjesë e kontratës shoqërore, duke shtuar se Kosova nuk mund të ndërtohet mbi një sistem ku një elitë përfiton nga paratë e taksapaguesve pa llogaridhënie.
“Publiku meriton sqarim të plotë — deklarim pasurie, kontratë, çmim, kredi dhe çdo lidhje interesi. Në të kundërt, dyshimi për konjivencë dhe korrupsion të tërthortë bëhet i pashmangshëm”, ka deklaruar ai.
Deri më tani, nga Presidenca e Kosovës nuk ka pasur reagim zyrtar lidhur me këto pretendime apo kërkesa për sqarim.
— Dragash Info