Reshjet e dendura nuk shkaktuan përmbytje, Sheshi Shadërvan dëshmon punimet cilësore Pas ndërhyrjeve infrastrukturore…
Reshjet e dendura nuk shkaktuan përmbytje, Sheshi Shadërvan dëshmon punimet cilësore
Pas ndërhyrjeve infrastrukturore, hapësira publike funksionoi pa probleme edhe gjatë reshjeve të fundit të shiut.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur edhe reshjet më të lehta shkaktonin përmbytje në bodrumet dhe lokalet përreth, Sheshi Shadërvan ka kaluar pa asnjë problem reshjet e fundit të dendura të shiut.
Sipas vëzhgimeve në terren, hapësira publike ka mbetur funksionale dhe e papërmbytur, duke treguar efektet pozitive të ndërhyrjeve të realizuara.
Ekspertët theksojnë se ky përmirësim është rezultat i punimeve cilësore infrastrukturore, veçanërisht ndarjes së kanalizimeve për ujërat atmosferike nga ato fekale dhe ndërtimit të sipërfaqeve me pjerrësi të saktë të kalldrëmit, që lejon largimin efikas të ujit. Këto zgjidhje kanë reduktuar ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve, një problem që prej vitesh shqetësonte zonën.
Për banorët dhe bizneset përreth, ndryshimi është i dukshëm. Një banore e Shadërvanit deklaron:
“Për herë të parë pas shumë vitesh, shiu i madh nuk na solli frikë e telashe. Më herët na përmbytej bodrumi edhe pas një shiu të vogël, ndërsa tani gjithçka ka funksionuar si duhet.
Kjo tregon se kur punohet me mend dhe profesionalizëm, rezultatet nuk mungojnë.”
Sheshi Shadërvan konsiderohet shembull konkret se planifikimi profesional dhe investimet e orientuara drejt cilësisë mund të sjellin përmirësime të qëndrueshme në hapësirat publike dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
— Dragash Info






