Ankesa të qytetarëve për mirëmbajtjen e rrugëve: Traktorët dhe kamionët pa efekt real në terren Redaksia jonë ka pran…
Ankesa të qytetarëve për mirëmbajtjen e rrugëve: Traktorët dhe kamionët pa efekt real në terren
Redaksia jonë ka pranuar ankesa të shumta nga qytetarët lidhur me gjendjen e rënduar të mirëmbajtjes së rrugëve, si atyre lokale ashtu edhe rrugëve magjistrale.
Sipas qytetarëve, traktorët e komunës po kryejnë pastrim sipërfaqësor, duke lëvizur me lugë të ngritur lart, pa e pastruar siç duhet asfaltin nga bora dhe ngricat, çka po rrezikon seriozisht sigurinë në komunikacion.
Po ashtu, qytetarët ankohen se kamionët e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës vetëm kalojnë nëpër rrugë, pa hedhur kripë apo materiale tjera kundër ngricave, edhe në segmente ku rruga është dukshëm e rrëshqitshme dhe e pasigurt.
Në redaksinë tonë ka arritur edhe një video e dërguar nga lexuesit, ku shihet një kamion i Ministrisë së Infrastrukturës, i kontraktuar për pastrimin e rrugëve, i cili – pavarësisht gjendjes jo të mirë të rrugës – ndalet anash saj, ndërsa shoferi shihet duke bërë pauzë për kafe, pa kryer detyrat për të cilat është kontraktuar.
Qytetarët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se mirëmbajtja jo adekuate e rrugëve po rrezikon drejtpërdrejt jetën e pjesëmarrësve në trafik dhe po shkakton vështirësi të mëdha në lëvizjen e përditshme.
📹 Videoja e dërguar nga qytetarët i bashkangjitet postimit.
— Dragash Info