Botë

Mbyllet numërimi i votave, ja ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur n…

09.01.2026. 3 min čitanja

Mbyllet numërimi i votave, ja ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, zgjedhje këto që janë fituar nga Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se institucioni është tashmë i gatshëm për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

“Megjithatë, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, subjektet politike kanë të drejtë të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka theksuar Elezi.

Grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin votat me postë, proces i cili ka përfunduar në orën 02:00 të 9 janarit. Pikërisht për këto vota, në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është dorëzuar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar shfuqizimin e mijëra votave të diasporës të ardhura me postë në Kosovë.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shënuar rezultatin më të mirë ndonjëherë në zgjedhje, duke marrë 486.994 vota apo 51.11 për qind, çka i siguron 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kurti është po ashtu kandidati më i votuar në vend me 404.023 vota.

E dyta në renditje është Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave, që përkthehen në 22 mandate në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave dhe do të përfaqësohet me 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind të votave, duke siguruar gjashtë mandate.

Sa i përket komunitetit serb, Lista Serbe do të ketë nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara, ndërsa një mandat i takon Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiq.

Ndërkohë, dhjetë ulëset e tjera të garantuara për komunitetet joserbe janë shpërndarë mes disa subjekteve politike.

— Dragash Info

Original Facebook objava