Botë

Filiz Mustafa falënderon qytetarët për mbështetjen ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!

09.01.2026. 2 min čitanja

Filiz Mustafa falënderon qytetarët për mbështetjen ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe rezultatin historik në Sharr

Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Filiz Mustafa, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës për angazhimin dhe kontributin e dhënë në zgjedhjet e fundit, të cilat sollën një fitore të cilësuar si historike për këtë subjekt politik.

Në reagimin e tij publik, Mustafa ka theksuar se kjo fitore është rezultat i drejtpërdrejtë i besimit qytetar dhe i angazhimit të aktivistëve e mbështetësve të Lëvizjes, duke e quajtur atë “fitoren më të madhe ndonjëherë”.

Ai ka veçuar në mënyrë të posaçme qytetarët e rajonit të Sharrit, të cilët, sipas tij, e renditën Lëvizjen VETËVENDOSJE! forcë të parë, me një rekord të ri prej 5,256 votash, duke dëshmuar se vullneti i lirë qytetar, pa presione dhe kërcënime, prodhon vendime të drejta dhe në interes të përgjithshëm.

Mustafa po ashtu ka falënderuar 14,873 qytetarë nga lagje dhe fshatra të ndryshme të Kosovës për mbështetjen personale që i dhanë atij si pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

“Ndonëse kjo mbështetje nuk ishte e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit, për mua ajo përbën nder dhe privilegj të madh”, ka deklaruar ai, duke vënë në pah edhe sfidat që sistemi zgjedhor paraqet për qytetet e vogla, si Sharri, sa i përket përfaqësimit parlamentar për shkak të bazës së kufizuar elektorale.

Duke pritur certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve të reja, Mustafa ka shprehur bindjen se Republika e Kosovës do të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe prosperitetit nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar vizionin, përgatitjen dhe idealet e tij për vendin.

— Dragash Info

Original Facebook objava