Universiteti i Prishtinës rishpall konkursin për 109 pozita të personelit akademik në 12 fakultete Universiteti i Pri…
Universiteti i Prishtinës rishpall konkursin për 109 pozita të personelit akademik në 12 fakultete
Universiteti i Prishtinës ka rishpallur sot konkursin për emërimin e personelit akademik, duke ofruar gjithsej 109 pozita në 12 fakultete.
Nga këto, 51 pozita janë për mësimdhënës dhe 58 për asistentë.
Sipas njoftimit zyrtar, konkursi është i hapur për këto njësi akademike: Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Arkitekturës si dhe Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.
Kushtet dhe dokumentacioni
Siç parashihet në konkurs, kandidatët duhet të:
plotësojnë formularin e aplikimit;
dorëzojnë CV të plotë me të gjitha arritjet akademike;
bashkëngjitin diplomat e të gjitha niveleve të studimit;
paraqesin dëshmi për publikime shkencore dhe profesionale;
ofrojnë dëshmi për përvojë dhe aftësi në mësimdhënie, përfshirë portofolio të punës profesionale dhe deklaratë të filozofisë së mësimdhënies;
bashkëngjitin dëshmi nga gjykata themelore që nuk janë të dënuar si dhe certifikatën e lindjes.
Afatet dhe mënyra e aplikimit
Aplikimi bëhet:
online, përmes vegëzës zyrtare: https://stafiakademik.uni-pr.edu/
fizikisht, në njësitë akademike përkatëse ku konkurrohet.
Afati për aplikim është nga 12 deri më 26 janar 2026, deri në orën 16:00.
Arsyeja e rishpalljes
Konkursi rishpallet pas harmonizimit të dy konkurseve të hapura më 15 dhe 22 dhjetor 2025 me dispozitat e zbatueshme të Statutit të UP-së, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të publikuar më 10 dhjetor 2025.
Kandidatët që kanë aplikuar në konkurset paraprake (nr. 4/522 dhe 4/590) kanë të drejtë të tërheqin dokumentacionin e dorëzuar dhe të riaplikojnë në konkursin e ri.
Universiteti i Prishtinës thekson se procesi i emërimit do të zhvillohet në përputhje të plotë me ligjin, normat dhe procedurat në fuqi, duke u bazuar në transparencë dhe meritokraci, pa përjashtim.
Si universiteti më i madh, më i vjetër dhe më i suksesshëm në Kosovë, i renditur më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare ndër universitetet në gjuhën shqipe, UP thekson se synon të mbetet punëdhënës i drejtë dhe i përgjegjshëm, duke përzgjedhur aplikantët më meritorë.
— Dragash Info