Haradinaj: Gjykata Speciale u ngrit për të përçarë dhe për të njollosur UÇK-në Ish-kryetari i Organizatës së Veteranë…
Haradinaj: Gjykata Speciale u ngrit për të përçarë dhe për të njollosur UÇK-në
Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se Gjykata Speciale është themeluar me qëllim të qartë përçarjen e shoqërisë kosovare dhe njollosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për emisionin Kosova Today, Haradinaj u shpreh se misioni i kësaj gjykate nuk ka qenë kurrë drejtësia, por dëmtimi i imazhit të luftës çlirimtare.
“Gjykata Speciale kryekëput është ngritur për të përçarë dhe për ta njollosur UÇK-në,” deklaroi ai.
Duke folur për përfundimin e procesit të njohur si gjykimi i “Thaçit dhe të tjerëve”, Haradinaj vlerësoi se Specialja do të tentojë të krijojë ndasi në shoqëri përmes vendimeve të përziera – si liruese ashtu edhe dënuese.
“Nëse Kosova dhe ata njerëz që na përfaqësojnë atje dënohen për këto vepra që padrejtësisht u ngarkohen, atëherë Kosova rrezikon të barazohet me forcat serbe dhe lufta jonë të përcaktohet si joçlirimtare,” theksoi Haradinaj.
Ai shtoi se, në rast të një vendimi lirues, drejtësia do të kërkonte lirimin e të gjithë të akuzuarve. Megjithatë, sipas tij, qëllimi real i kësaj gjykate mbetet njollosja e UÇK-së dhe e krerëve që shpallën pavarësinë e Kosovës.
“Kjo gjykatë diskriminuese, nëse nuk arrin të dënojë, do të përpiqet ta dëmtojë dinjitetin dhe të përçajë popullin përmes disa vendimeve dënuese e disa liruese,” përfundoi Haradinaj.
— Dragash Info