Orgjost, fadroma kalon rrugën pa punuar, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente Banorët e fshatit Orgjost kanë reaguar p…
Orgjost, fadroma kalon rrugën pa punuar, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Banorët e fshatit Orgjost kanë reaguar pas dërgimit të një fadrome në rrugën e tyre, e cila sipas tyre nuk ka kryer asnjë ndërhyrje reale.
Sipas komunitetit, fadroma kaloi rrugën pa ulur kovën në pikat kritike dhe nuk ndërhyri në urën e fshatit, e cila vazhdon të jetë e rrezikshme dhe e pakalueshme.
Banorët kritikojnë papërgjegjshmërinë e Bashkisë Kukës dhe shoferit të fadromës, duke thënë se situata bllokon fëmijët nga shkolla, izoloi të moshuarit dhe të sëmurët, dhe çdo vonesë mund të rrezikojë jetë njerëzish. Ata kërkojnë ndërhyrje reale dhe urgjente, jo thjesht “kalime formale” dhe foto.
“Orgjosti nuk kërkon lëmoshë, por ndërhyrje reale dhe urgjente,” thuhet në reagimin e fshatit.
Postimi i plotë i fshatit Orgjost:
“Sot në Orgjost u dërgua një fadromë, por vetëm sa për të kaluar dhe jo për të punuar.
Shoferi i fadromës kaloi në rrugë pa ulur kovën në asnjë pikë kritike, pa ndërhyrë as edhe një minutë në urën e Orgjostit, e cila vazhdon të jetë e rrezikshme dhe e pakalueshme.
Kjo është tallje me banorët dhe papërgjegjshmëri e pastër.
Kur dërgohet një mjet i rëndë për emergjencë, ai nuk shkon për shëtitje, por për të kryer detyrën për të cilën paguhet.
Bashkia Kukës mban përgjegjësi të plotë për këtë shërbim të dështuar, por edhe shoferi i fadromës duhet të mbajë përgjegjësi për moskryerje të detyrës.
Fëmijët janë pa shkollë, të moshuarit dhe të sëmurët të izoluar, ndërsa institucionet mjaftohen me “kalime formale” dhe foto.
Orgjosti nuk kërkon lëmoshë, por ndërhyrje reale dhe urgjente.
Çdo vonesë dhe çdo neglizhencë rrezikon jetë njerëzish.
📢 Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme, jo shfaqje boshe.”
— Dragash Info



