Thaçi në Hagë: HuffPost Italia e quan procesin surreal, ish-presidenti një nga etërit e Kosovës Gazeta italiane “Huff…
Thaçi në Hagë: HuffPost Italia e quan procesin surreal, ish-presidenti një nga etërit e Kosovës
Gazeta italiane “Huffingtonpost.it” ka trajtuar sot çështjen e gjyqit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që po zhvillohet prej vitesh në Gjykatën Speciale të Hagës.
Gazetari italian Mauro Suttora e përshkruan situatën si “surreale”, duke përdorur një shembull hipotetik: imagjinoni në vitin 1970, 25 vjet pas Çlirimit të Italisë, ish-presidentin Alessandro Pertini të burgosur dhe gjykuar për krime të kryera nga partizanët që ai udhëhoqi në vitet 1943–1945. Sipas Suttoras, një gjë e tillë do të dukej e pabesueshme, por po njësoj po i ndodh Hashim Thaçit, i cili, 57 vjeç, ka shërbyer si ministër, kryeministër dhe më pas president i Kosovës deri në vitin 2020, dhe njihet si një nga etërit e atdheut, së bashku me të ndjerin Ibrahim Rugova. Thaçi mbahet në burg holandez prej pesë vitesh.
Gazeta italiane thekson se Gjykata Speciale, në fillim, u konsiderua një instrument për të lehtësuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë njohur dhe për të ndihmuar vendin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ish-presidenti Thaçi kishte pranuar t’i nënshtrohej këtij gjykimi për krime lufte, së bashku me tre drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Suttora nënvizon se, megjithatë, mënyra dhe koha e zhvillimit të këtij procesi e bëjnë situatën surreale dhe të diskutueshme, duke ngritur pyetje mbi drejtësinë dhe perceptimin ndërkombëtar të veprimtarive të udhëheqësve të Kosovës gjatë luftës.
— Dragash Info