FVK reagon ndaj banerëve provokues të tifozëve serbë në CEV Challenge Cup Federata e Volejbollit e Kosovës ka reaguar…
FVK reagon ndaj banerëve provokues të tifozëve serbë në CEV Challenge Cup
Federata e Volejbollit e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj shfaqjes së banerëve me përmbajtje politike dhe pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës, të ekspozuara nga tifozë serbë gjatë një ndeshjeje të CEV Challenge Cup, e zhvilluar në Danimarkë.
Sipas FVK-së, gjatë përballjes ndërmjet klubeve Holte dhe Crvena Zvezda, është shfaqur harta e Republikës së Kosovës me mbishkrimin “nuk ka dorëzim”, si dhe banerë të tjerë që përmbajnë mesazhe nacionaliste dhe pretendime territoriale, të cilat federata i konsideron të papranueshme.
FVK thekson se veprime të tilla bien ndesh me parimet themelore të sportit, si respekti, fair-play dhe ndarja e qartë e sportit nga mesazhet politike apo nacionaliste. Sipas saj, sporti duhet të shërbejë si urë bashkimi mes popujve dhe jo si platformë për provokime që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve.
Federata e Volejbollit të Kosovës e ka cilësuar këtë akt si shkelje serioze të rregulloreve dhe vlerave të garave evropiane dhe ka njoftuar se i është drejtuar zyrtarisht Konfederata Evropiane e Volejbollit, duke kërkuar trajtim serioz të rastit dhe marrjen e masave përkatëse.
Në reagimin e saj, FVK riafirmon se do të vazhdojë të mbrojë interesat e volejbollit të Kosovës dhe të shtetit tonë në të gjitha instancat ndërkombëtare, duke qëndruar e palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave sportive, respektit reciprok dhe përfaqësimit dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
— Dragash Info


