Botë

Krerët e partive politike në Grenlandë reagojnë ashpër ndaj deklaratave të Trumpit Udhëheqësit e pesë partive politik…

10.01.2026. 2 min čitanja

Krerët e partive politike në Grenlandë reagojnë ashpër ndaj deklaratave të Trumpit

Udhëheqësit e pesë partive politike në Grenlandë i kanë dërguar një mesazh të qartë Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pas deklaratave të tij të përsëritura për marrjen nën kontroll të territorit gjysmë-autonom danez.

Në një deklaratë të përbashkët, të publikuar të premten, liderët politikë theksuan se populli i Grenlandës nuk dëshiron të bëhet pjesë e asnjë shteti tjetër:

“Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë – duam të jemi grenlandezë.”

Ata nënvizuan se e ardhmja e territorit duhet të vendoset ekskluzivisht nga qytetarët e Grenlandës dhe kërkuan që, sipas tyre, “përbuzja e SHBA-së ndaj vendit tonë të marrë fund”. Sipas deklaratës, Grenlanda ka rritur ndjeshëm pjesëmarrjen dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare vitet e fundit, duke kërkuar që çdo dialog të bazohet në diplomaci dhe parime ndërkombëtare.

Udhëheqësit politikë njoftuan gjithashtu mbajtjen e një seance të posaçme parlamentare, me qëllim zhvillimin e një debati të drejtë dhe gjithëpërfshirës për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e popullit grenlandez.

Reagimi vjen pas deklaratave të fundit të Trump, i cili në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë tha se SHBA-të “do të bëjnë diçka për Grenlandën”, duke përmendur Rusinë dhe Kinën si arsye strategjike. Ai madje nuk përjashtoi as përdorimin e forcës, duke deklaruar se “nëse nuk bëhet në mënyrën e lehtë, do të bëhet në mënyrën e vështirë”.

Këto komente kanë shkaktuar reagime dhe dënime të forta në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Evropë, ku është paralajmëruar se një veprim i tillë do të cenonte seriozisht stabilitetin ndërkombëtar dhe vetë aleancën e NATO, si dhe marrëdhëniet me Danimarkë.

— Dragash Info

Original Facebook objava