Rezultati i PDK-së në zgjedhje, Enver Hoxhaj: Duhet të përballemi me qeverinë dhe me vetveten Deputeti i zgjedhur i P…
Rezultati i PDK-së në zgjedhje, Enver Hoxhaj: Duhet të përballemi me qeverinë dhe me vetveten
Deputeti i zgjedhur i Partia Demokratike e Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka falënderuar publikisht votuesit e PDK-së pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, duke theksuar se rreth 40 mijë qytetarë i kanë dhënë besimin për herë të nëntë që të jetë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në një video të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Hoxhaj u shpreh mirënjohës ndaj secilit votues, duke theksuar përgjegjësinë e madhe që ky besim sjell.
“Rreth 40 mijë qytetarë më dhanë besimin duke më bërë për herë të nëntë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për këtë ju jam fort mirënjohës,” tha Hoxhaj.
Ai theksoi se ky besim do ta udhëheqë në çdo vendim dhe përgjegjësi politike që do të marrë në të ardhmen.
“Secilin prej jush e kam në mendje dhe në zemër, në çdo vendim dhe në çdo përgjegjësi. Do t’ju shërbej me nder, duke e mbrojtur interesin tuaj dhe interesin e Republikës së Kosovës,” u shpreh ai.
Hoxhaj paralajmëroi edhe për rreziqet aktuale me të cilat, sipas tij, po përballet vendi, duke nënvizuar se demokracia në Kosovë është e rrezikuar nga brenda, ndërsa shteti nga jashtë.
“Demokracia jonë është e rrezikuar nga brenda, ndërsa Kosova është e rrezikuar nga jashtë. Kjo kërkon përballje, pa kompromis,” deklaroi ai.
Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Hoxhaj tha se PDK-ja ka obligim të përballet jo vetëm me qeverinë e ardhshme, por edhe me vetveten si parti.
“Rezultati i 28 dhjetorit na obligon që të përballemi me qeverinë e ardhshme, por edhe me vetveten. PDK-ja duhet të rikthehet, duhet të ringrihet,” theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Hoxhaj bëri thirrje për unitet dhe bashkim rreth qytetarit si bosht i veprimit politik.
— Dragash Info