Botë

Raportime nga SHBA: FBI publikon dokumente për pagesa të burimeve konfidenciale nga Jack Smith – ngjashmëri të preten…

11.01.2026. 3 min čitanja

Raportime nga SHBA: FBI publikon dokumente për pagesa të burimeve konfidenciale nga Jack Smith – ngjashmëri të pretenduara me rastet ndaj UÇK-së në Hagë

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) ka publikuar dokumente që tregojnë se Zyra e Prokurorit Special, e udhëhequr atëkohë nga Jack Smith, kishte miratuar në vitin 2023 pagesën prej 20 mijë dollarësh për një burim konfidencial në kuadër të hetimit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas raportimit të medias amerikane Just the News, dokumentet janë dorëzuar në Kongres nga drejtori aktual i FBI-së, Kash Patel, dhe lidhen me hetimin e njohur si “Arctic Frost”, që kishte të bënte me përpjekjet për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në dokumente thuhet se pagesa ishte miratuar për një burim konfidencial (CHS), ndërsa vendimi ishte diskutuar dhe aprovuar nga këshilltarë të Zyrës së Prokurorit Special, përfshirë edhe vetë Jack Smith. Sipas FBI-së, ky rast përbën “abuzim të rëndë me pushtetin dhe shkelje të ligjit”.

Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar edhe Trump, i cili ka deklaruar publikisht se Smith “duhet të ishte në burg”, duke e cilësuar hetimin si politik dhe të padrejtë.

Pretendime për ngjashmëri me rastet ndaj UÇK-së në Hagë

Ndërkohë, në Kosovë janë rikthyer në vëmendje pretendimet e mëhershme se Jack Smith, gjatë angazhimit të tij në Hagë, ka përdorur metoda të ngjashme edhe në rastet ndaj krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas raportimeve të VOX Kosova, ekzistojnë akuza të pambyllura se Smith kishte punuar me informatorë për të siguruar dëshmi të fabrikuara. Në këto raportime përmendet edhe emri i Faik Imerit, i përshkruar si ndërmjetësues për sjelljen e dëshmitarëve kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Një raport i ish-agjentit amerikan të DEA-s, John Moynihan, kishte ngritur dyshime për përdorimin e dëshmitarëve të rremë, përfshirë edhe deklarimet e Halit Sahitajt, i cili kishte pretenduar se ishte nxitur të jepte dëshmi të pavërteta.

Sipas këtyre pretendimeve, dëshmitë e fabrikuara synonin figura të larta të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Këto çështje janë trajtuar edhe në një dokumentar të gjatë të emisionit Opinion në TV Klan.

Autoritetet ndërkombëtare nuk kanë dhënë ende një qëndrim përfundimtar mbi këto pretendime, ndërsa rasti në SHBA ka rihapur debatin mbi metodat hetimore të përdorura nga Jack Smith, si në Amerikë ashtu edhe gjatë angazhimit të tij në Hagë.

— Dragash Info

Original Facebook objava