Botë

Avokati Bajraktari: Pafajësia epilog real për ish-krerët e UÇK-së, prokuroria nuk i argumentoi akuzat Trupi gjykues n…

11.01.2026. 3 min čitanja

Avokati Bajraktari: Pafajësia epilog real për ish-krerët e UÇK-së, prokuroria nuk i argumentoi akuzat

Trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka bërë të ditur se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohet periudha e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Lidhur me këtë fazë përfundimtare të procesit, avokati Ardian Bajraktari ka shprehur optimizëm të lartë se epilogu do të jetë pozitiv për të akuzuarit, duke theksuar se vendimi final duhet të jetë pafajësia.

Sipas Bajraktarit, dy tezat kryesore mbi të cilat është ndërtuar aktakuza – ekzistimi i një strukture komanduese dhe kontrolli efektiv i territorit – nuk janë argumentuar nga prokuroria gjatë procesit gjyqësor.

“Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë po shkon drejt fundit. Tashmë dihet se janë caktuar datat e paraqitjes së deklaratave përmbyllëse. Sa i përket epilogut, nëse ka drejtësi, jam i bindur se vendimi duhet të jetë pafajësia e çlirimtarëve tanë. Prokuroria nuk ka arritur t’i argumentojë tezat e akuzave, as për strukturën komanduese e as për kontrollin efektiv të territorit,” u shpreh Bajraktari.

Ai shtoi se dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë bindës dhe argumentues, duke hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë. Sipas tij, çdo vendim tjetër përveç lirimit do të kishte pasoja serioze jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Çdo vendim ndryshe nga ai lirues do të përdorej për të njollosur luftën e pastër të UÇK-së dhe për të delegjitimuar intervenimin e NATO-s,” theksoi ai.

Nga 9 deri më 18 shkurt pritet të paraqiten fjalët përfundimtare të përfaqësuesve të prokurorisë, avokatëve mbrojtës dhe vetë të akuzuarve. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte të periudhës mars 1998 – shtator 1999 në Kosovë, si dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë.

— Dragash Info

Original Facebook objava