Botë

Shifrat rrëzojnë narrativën qeveritare: Importet nga Serbia u dyfishuan në vitin 2025 Pavarësisht deklarimeve të vazh…

12.01.2026. 3 min čitanja

Shifrat rrëzojnë narrativën qeveritare: Importet nga Serbia u dyfishuan në vitin 2025

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për uljen e varësisë ekonomike nga Serbia, të dhënat zyrtare doganore për vitin 2025 tregojnë një realitet krejtësisht të kundërt.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar–dhjetor 2025, të analizuara nga Demokracia.com, importet nga Serbia kanë arritur vlerën mbi 202.7 milionë euro.

Krahasuar me vitin 2024, kur importet ishin 109.2 milionë euro, kjo paraqet një rritje prej më shumë se 93 milionë euro, apo rreth 86 për qind brenda vetëm një viti.

Kjo rritje përbën nivelin më të lartë të importit nga Serbia që nga paslufta dhe shënon rritjen më të madhe ndër të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s. Nga një furnizues dytësor në vitin 2024, Serbia në vitin 2025 është shndërruar në një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, duke u renditur menjëherë pas Maqedonisë së Veriut dhe duke lënë pas Shqipërinë.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria – e promovuar politikisht si partner strategjik – ka shënuar rënie të ndjeshme të eksporteve drejt Kosovës.

Importet nga Shqipëria kanë rënë nga 241.6 milionë euro në vitin 2024, në vetëm 171.3 milionë euro në vitin 2025, një humbje prej mbi 70 milionë eurosh në tregun kosovar.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka ruajtur pothuajse të njëjtin nivel importesh, por Serbia po e ngushton diferencën muaj pas muaji, duke u shndërruar në konkurrent serioz edhe për vendin e parë në tregtinë rajonale me Kosovën.

Këto zhvillime e ekspozojnë qartë mospërputhjen mes narrativës politike për “shkëputje ekonomike” nga Serbia dhe realitetit në terren. Në praktikë, ekonomia e Kosovës vazhdon të funksionojë mbi logjikën e tregut dhe interesit ekonomik, jo mbi deklarata politike.

Bizneset kosovare importojnë aty ku çmimi është më i ulët, furnizimi më i qëndrueshëm dhe procedurat më të shpejta – kushte që, sipas të dhënave, Serbia vazhdon t’i ofrojë.

Në këtë kontekst, edhe marrëveshja rajonale CEFTA, pavarësisht tensioneve politike, vazhdon të funksionojë si mekanizëm që lehtëson tregtinë dhe ul barrierat doganore, duke krijuar hapësirë për rikthimin e fuqishëm të produkteve serbe në tregun e Kosovës.

— Dragash Info

Original Facebook objava