Haziz Hodaj jep dorëheqje nga Kryesia e LDK-së në Prizren: Vendimet arbitrare e bëjnë të pamundur vazhdimin me integr…
Haziz Hodaj jep dorëheqje nga Kryesia e LDK-së në Prizren: Vendimet arbitrare e bëjnë të pamundur vazhdimin me integritet
Asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Haziz Hodaj, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kryesia e Degës së LDK-së, duke e arsyetuar vendimin me shkeljen e fjalës së dhënë, mungesën e konsultimit dhe marrjen e vendimeve arbitrare brenda strukturave partiake.
Në një reagim publik, Hodaj thekson se në vend të reflektimit mbi humbjet e njëpasnjëshme, brenda partisë po mbizotëron një papërgjegjësi shqetësuese që, sipas tij, vetëm sa i thellon gabimet.
“Kur fjala e dhënë shkelet, kur besa humb peshën e saj dhe heshtja zë vendin e komunikimit, dorëheqja nga kryesia mbetet e vetmja rrugë e ndershme”, ka deklaruar Hodaj, duke shtuar se largimi i tij nuk është shmangie nga përgjegjësia, por një akt dinjiteti për të mos u bërë pjesë e pabesisë.
Ai ka bërë përgjegjës drejtpërdrejt ish-deputetin dhe figurën drejtuese të LDK-së, Driton Selmanaj, duke theksuar se shkelja e parimeve dhe mungesa e transparencës e kanë bërë të pamundur vazhdimin e funksionit me integritet.
Sipas Hodajt, dorëheqja vjen si pasojë e vendimeve të marra pa konsultim dhe pa miratim të Kryesisë së Degës së LDK-së në Prizren, vendime që, sipas tij, cenojnë parimet bazë të funksionimit demokratik të partisë dhe thyejnë besimin e ndërsjellë.
“I qëndroj besnik, pa asnjë kompromis, parimeve të mia dhe besimit të votuesve të mi. Ky është detyrimi im moral dhe kufiri që nuk e shkel”, ka theksuar ai.
Në postskriptumin e reagimit, Hodaj ka ngritur shqetësime edhe për emërimet e propozuara nga LDK për drejtorë të drejtorive komunale, duke theksuar se emrat janë dërguar pa pëlqimin e asambleistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal.
Ai i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që të mos marrë vendime pa u konsultuar me anëtarët e kuvendit nga LDK, me përjashtim të pozitës së drejtorit të Urbanizmit.
Dorëheqja e Haziz Hodajt vjen në një kohë tensionesh të shtuara brenda degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, duke hapur debat të ri mbi funksionimin e brendshëm dhe procesin e vendimmarrjes në këtë subjekt politik.
© Dragash Info