Botë

Presidentja Osmani dekoron Hasan Arat me “Medaljen Presidenciale të Meritave” Presidentja e Republikës së Kosovës, Vj…

12.01.2026. 3 min čitanja

Presidentja Osmani dekoron Hasan Arat me “Medaljen Presidenciale të Meritave”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar personalitetin e njohur të sportit ndërkombëtar Hasan Arat me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar për zhvillimin dhe afirmimin e sportit kosovar dhe atij ndërkombëtar.

Ceremonia e dekorimit u mbajt në ambientet e Presidencës së Republikës së Kosovës, në prani të drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi, ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, si dhe drejtorin ekzekutiv të BKT Kosova, Suat Bakkal.

Presidentja Osmani theksoi se vendimi për dekorimin e Hasan Arat është marrë mbi bazën e rolit dhe përkushtimit të tij të veçantë në sportin ndërkombëtar dhe në mbështetjen e sportit kosovar, veçanërisht në procesin e kandidimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

I dekoruar me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, Hasan Arat u shpreh mirënjohës për këtë vlerësim, duke theksuar se ky nderim ka rëndësi të veçantë për të personalisht, për familjen e tij, për vendin e tij – Turqinë – si dhe për botën e sportit në përgjithësi. Ai shtoi se do të vazhdojë të jetë përkrahës i fuqishëm i sportit kosovar në rrugën e tij drejt zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar.

Hasan Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij ka qenë basketbollist, ndërsa në role udhëheqëse ka shërbyer si anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i Komisionit Koordinues për Lojërat Evropiane Krakov 2023, si dhe pjesë e strukturave të ndryshme të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe ANOC. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Atletikës dhe, gjatë viteve 2023–2024, ka ushtruar për më shumë se një vit funksionin e presidentit të klubit të njohur turk të futbollit Beşiktaş.

— Dragash Info

Original Facebook objava