Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje mban takim përmbyllës me Misionin e Ekspertëve të Zgjedhjeve nga BE-ja Koordinat…
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje mban takim përmbyllës me Misionin e Ekspertëve të Zgjedhjeve nga BE-ja
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje nga sistemi prokurorial, prokurorja Laura Pula, ka mbajtur sot një takim përmbyllës me përfaqësues të Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), të cilët vizituan Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Delegacioni i EEM-së u kryesua nga analistja ligjore e këtij misioni, Eirini Skouzou, ndërsa takimi u zhvillua në kuadër të vlerësimit të procesit zgjedhor për Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili u mbajt më 28 dhjetor 2025.
Gjatë takimit, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje informoi të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe për veprimet e ndërmarra në rastet e dyshuara për cenim të procesit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të fundit.
Po ashtu, u diskutua edhe për koordinimin ndërmjet prokurorive dhe Koordinatores Nacionale për Zgjedhje, lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit në trajtimin e rasteve që ndërlidhen me procesin zgjedhor.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor, ndërmjet institucioneve që merren me administrimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, si dhe njoftimi i vazhdueshëm për rastet që janë në hetim e sipër.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian prezantuan angazhimin dhe rolin e tyre gjatë procesit zgjedhor, duke vlerësuar bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Takimi u vlerësua si i rëndësishëm për forcimin e transparencës, ligjshmërisë dhe besimit në proceset zgjedhore në Republikën e Kosovës.
— Dragash Info