Rapçë, dita e pestë pa energji elektrike – qytetarët kolateral i një sistemi jofunksional Edhe dita e pestë e gjen fs…
Rapçë, dita e pestë pa energji elektrike – qytetarët kolateral i një sistemi jofunksional
Edhe dita e pestë e gjen fshatin Rapçë pa energji elektrike, ndërsa përgjegjësia vazhdon të bartet nga një zyrë në tjetrën brenda KEDS", pa asnjë zgjidhje konkrete në terren.
Punëtorët e KEDS-it nga dega e Prizrenit kanë përfunduar dje pjesën e tyre të punës, duke sanuar matësit e djegur të energjisë dhe kanë njoftuar se më tej është radha e degës së Dragashit për të dalë në terren dhe për të rikthyer energjinë elektrike.
Që nga ai moment, procesi ka ngecur plotësisht.
Nga Dragashi, përgjegjësia adresohet në Prishtinë, ndërsa nga Prishtina thuhet se “dikush do të lajmërohet”. Askush nuk është lajmëruar. Energjia elektrike mungon edhe në ditën e pestë. Kompetencat kalojnë nga një zyrë në tjetrën, ndërsa qytetarët po shndërrohen në viktima të një sistemi jofunksional.
Ndërkohë, fshatra dhe mahalla të tëra mbesin pa një shërbim bazik jetësor.
Kjo situatë tashmë nuk është më problem teknik. Është problem i papërgjegjshmërisë dhe i ikjes nga obligimet.
Nëse dega e Prizrenit e KEDS-it e ka kryer detyrën e saj, pse dega e Dragashit nuk del në terren? Kush mban përgjegjësi për ditët e gjata pa energji elektrike dhe deri kur qytetarët duhet të presin?
Qytetarët nuk janë të obliguar të kuptojnë hierarkinë e brendshme të KEDS-it. Ata kërkojnë vetëm një përgjigje të thjeshtë: pse nuk kanë rrymë dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë gjendje?
Energjia elektrike është shërbim bazik dhe paguhet rregullisht. Të gjitha arsyetimet e tjera mbesin vetëm justifikime.
Shkruan Munir Jonuzi, ish-asambleist i Koalicionit VAKAT.
— Dragash Info