Përkujtohet Prof.
Përkujtohet Prof. Dr. Sabahajdin Cena në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren
Sot, në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u mbajt Akademia Përkujtimore për Prof. Dr. Sabahajdin Cenën, e organizuar nga Fakulteti i Filologjisë, me rastin e trevjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Në këtë akademi u nderua jeta dhe veprimtaria akademike, shkencore dhe njerëzore e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, një personalitet i shquar i arsimit të lartë dhe i studimeve filologjike shqiptare. Përmes fjalëve rasti dhe kumtesave përkujtimore u vlerësua kontributi i tij i çmuar në formimin e gjeneratave të studentëve dhe në zhvillimin e mendimit shkencor shqiptar.
Në Akademinë Përkujtimore folën Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Menor Alishani, Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, si dhe profesorët Flamur Shala, Xhafer Beqiraj, Fikret Ramadani dhe Gjyle Totaj, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën dhe veprën e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës.
Në cilësinë e dekanes së Fakultetit të Filologjisë dhe si studiuese e veprës së tij, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra mbajti një fjalë të veçantë kushtuar librit “Proza popullore legjendare shqiptare”, duke theksuar rëndësinë e veçantë shkencore dhe kontributin e kësaj vepre në studimet e folklorit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në emër të familjes, një fjalë prekëse mbajti edhe mbesa e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, znj. Hygerta Ejupi, e cila falënderoi institucionin dhe të pranishmit për respektin dhe kujtesën e vazhdueshme ndaj figurës dhe veprës së tij.
Akademia Përkujtimore mblodhi kolegë, studentë, familjarë dhe dashamirë të veprës së Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, duke reflektuar respektin institucional dhe shoqëror për trashëgiminë e tij akademike dhe kulturore.
— Dragash Info