Ambasada e SHBA-së: Qeveria e re e Kosovës duhet të ndërmarrë veprime për forcimin e bashkëpunimit Ambasada e Shtetev…
Ambasada e SHBA-së: Qeveria e re e Kosovës duhet të ndërmarrë veprime për forcimin e bashkëpunimit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka bërë të ditur se është e gatshme të forcojë partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë Dialogun Strategjik mes dy vendeve.
Megjithatë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada theksoi se realizimi i këtij synimi do të kërkojë veprime konkrete nga Qeveria e Kosovës, të cilat “çojnë përpara agjendën e përbashkët për paqe dhe stabilitet rajonal”, si dhe “prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”.
Kjo deklaratë vjen në pritje të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, ku Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi mbi 51% të votave.
Numërimi i votave përfundoi më 9 janar, por certifikimi i rezultateve ende nuk është përfunduar zyrtarisht.
Gjatë mandatit të mëparshëm 2021-2025, Qeveria e udhëhequr nga Kurti është përballur shpesh me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për veprime të cilat janë cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme. Disa prej këtyre veprimeve, si mbyllja e shumicës së institucioneve serbe dhe heqja e dinarit serb nga përdorimi, janë parë si të dëmshme për komunitetin serb dhe si faktor që ka rritur tensionet në veri të vendit.
Kritikat e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik, mekanizëm ky i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe rihapën debatin mbi stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Ambasada thekson se rifillimi i bashkëpunimit dhe thellimi i marrëdhënieve do të varet nga veprimet e Qeverisë së re të Kosovës dhe zbatimi i agjendës së përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet ekonomik.
— Dragash Info