Abdixhiku: Do ta ofroj dorëheqjen në Kuvend, vendimi i mbetet Kuvendit të LDK-së Pas një mbledhjeje maratonike që zgj…
Abdixhiku: Do ta ofroj dorëheqjen në Kuvend, vendimi i mbetet Kuvendit të LDK-së
Pas një mbledhjeje maratonike që zgjati mbi pesë orë me drejtuesit kryesorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Abdixhiku bëri të ditur se LDK-ja ka vendosur të thërrasë fillimisht Kryesinë dhe më pas Kuvendin e partisë, ku do të diskutohet edhe përgjegjësia politike për rezultatin zgjedhor. Ai theksoi se do ta ofrojë dorëheqjen e tij para Kuvendit të LDK-së, duke lënë që ky organ të marrë vendimin përfundimtar.
“E kam obligim moral të marrë përgjegjësinë dhe, nëpërmjet ofrimit të dorëheqjes te Kuvendi i LDK-së, të lë që të vendosë Kuvendi i LDK-së. Deri atëherë, secili ka të drejtë të shtrojë kandidaturën,” deklaroi Abdixhiku.
Ai sqaroi se takimi i mbajtur ishte joformal me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa mbledhja formale e Kryesisë dhe Kuvendit të LDK-së pritet të mbahet javën e ardhshme.
Vendimi i Abdixhikut vjen pas rezultateve zhgënjyese të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të cilat kanë hapur debat të brendshëm për drejtimin e ardhshëm të partisë.
— Dragash Info