Presidentja Osmani bën apel të fuqishëm për bojkotimin e produkteve serbe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa…
Presidentja Osmani bën apel të fuqishëm për bojkotimin e produkteve serbe
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar grupit “Besa Besë” me një apel të fuqishëm për të mos blerë produkte serbe, gjatë pritjes së organizuar nga Presidenca për këtë grup më 13 janar 2026.
Kjo konsiderohet hera e parë që kreu i shtetit del hapur me një thirrje publike për bojkotimin e produkteve serbe, një veprim që është vlerësuar lart nga anëtarët e grupit “Besa Besë” dhe nga përkrahësit e nismës.
Kryesuesi i grupit “Besa Besë” dhe afaristi i njohur, Burim Piraj, ka theksuar se ky apel nga Presidentja Osmani përbën një mbështetje të fuqishme institucionale për kauzën e mbrojtjes së ekonomisë vendore.
“Hera e parë që i pari i shtetit bën apel për të mos blerë produkte serbe. Kjo është shumë e rëndësishme dhe e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë. Ju lutemi të luftojmë këtë dukuri së bashku. Njerëz të mirë, vazhdojmë,” ka shkruar Piraj.
Grupi “Besa Besë” prej kohësh promovon blerjen e produkteve vendore dhe fuqizimin e ekonomisë së Kosovës, duke ftuar qytetarët që përmes zgjedhjeve të tyre të përditshme të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
— Dragash Info