Mustafa: PDK do të kërkojë komision parlamentar për hetimin e sektorit të energjisë Deputeti i Partis Demokratike të…
Mustafa: PDK do të kërkojë komision parlamentar për hetimin e sektorit të energjisë
Deputeti i Partis Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka paralajmëruar se me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, partia e tij do të kërkojë themelimin e një komisioni të ri parlamentar hetimor, me mandat të qartë dhe gjithëpërfshirës, për të hetuar të gjitha aferat, dyshimet për keqpërdorime dhe keqmenaxhimin e thellë të sektorit të energjisë gjatë viteve të fundit.
Mustafa ka theksuar se qëllimi kryesor i këtij komisioni do të jetë zbardhja e plotë e së vërtetës dhe vendosja e përgjegjësisë politike dhe institucionale, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.
“Qëllimi ynë është i qartë: zbardhja e të vërtetës, përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe institucionale, dhe garantimi i transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, kompetencë dhe vizion”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës po përballen me pasoja të drejtpërdrejta të krizës energjetike, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
“Qytetarët meritojnë ngrohje në këto ditë të ftohta dhe siguri në furnizim, jo kriza të pafundme dhe justifikime boshe”, ka theksuar deputeti i PDK-së.
Sipas tij, sektori i energjisë kërkon trajtim serioz, planifikim afatgjatë dhe mbikëqyrje institucionale, në mënyrë që të shmangen krizat e përsëritura dhe të sigurohet furnizim stabil për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
— Dragash Info