PDK kërkon që gjykimi në Hagë të përmbyllet me drejtësi dhe liri për çlirimtarët Partia Demokratike e Kosovës (PDK),…
PDK kërkon që gjykimi në Hagë të përmbyllet me drejtësi dhe liri për çlirimtarët
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një deklarate për media, ka kërkuar që procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përmbyllet me drejtësi të paanshme dhe vendim profesional, të bazuar vetëm në fakte dhe prova.
Kjo deklaratë vjen pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga data 9 deri më 18 shkurt do të mbahen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë tash e mbi pesë vjet.
Sipas PDK-së, ky proces është shoqëruar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime serioze mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Partia vlerëson se këto rrethana kanë ndikuar negativisht në perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit të Kosovës.
Në deklaratë theksohet se në fazën përmbyllëse është thelbësore që gjykimi të fokusohet ekskluzivisht në drejtësinë e paanshme, duke u distancuar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që ka shoqëruar procesin gjatë pesë viteve të fundit.
PDK po ashtu thekson se dëshmitarët kyç në këtë proces kanë hedhur poshtë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësinë individuale, grupore apo komanduse të të akuzuarve, dhe duke dobësuar bazën e akuzave të prokurorisë.
Në fund, Partia Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke shprehur bindjen se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe stabilitetin e rajonit.
— Dragash Info